Të Gjitha Aktivitetet

Monitoring of the Project for Supply of Ecological Bags, Awareness Signs, and Waste Bins in Mitrovica

Monitorimi i projektit për Furnizimin me çanta ekologjike, tabela vetëdijësuese dhe shporta për mbeturina në Mitrovicë

KDI në bashkëpunim me OJQ-në “Mundësia” ka përfunduar monitorimin e kontratës publike të lidhur nga Komuna e Mitrovicës për “Furnizimin me çanta ekologjike, tabela vetëdijësuese dhe shporta për mbeturina”, me vlerë prej 17,888.75 euro.

Nga monitorimi në terren u vu re se kontrata është përmbushur vetëm pjesërisht. Produktet janë pranuar nga komuna, por nuk është e qartë kur do të vendosen të gjitha në lokacionet e planifikuara apo do të shpërndahen sipas qëllimit të projektit.

Në rrugën Mbretëresha Teutë janë vendosur rreth 50 nga 100 shporta të planifikuara, ndërsa 46 shportat e mbetura janë ende të papërdorura dhe sipas raportit të zyrtarëve komunalë janë ruajtur në magazinën në fshatin Frashër. Nuk është specifikuar një afat i qartë për vendosjen e tyre në vendin e destinuar në rrugën Ali Zeneli.

Gjithashtu, nuk ka dëshmi për shpërndarjen e 3,500 çantave ekologjike me vlerë rreth 10,000 euro. Komuna ka bërë të ditur se shpërndarja do të bëhet gjatë aktiviteteve mjedisore si Dita e Tokës (22 prill), Dita e Mjedisit (5 qershor) dhe Dita pa Qese Plastike (3 korrik). Megjithatë, për Ditën e Tokës nuk është vërejtur asnjë njoftim apo paralajmërim zyrtar për shpërndarjen e çantave.

Komuna e Mitrovicës do të marrë një raport të detajuar me gjetjet dhe rekomandimet e monitorimit, me qëllim përmirësimin e zbatimit të kontratave publike dhe rritjen e transparencës ndaj qytetarëve.

Ky monitorim thekson rëndësinë e përkushtimit ndaj përfundimit në kohë të projekteve dhe komunikimit të qartë me publikun për aktivitetet dhe shpenzimet publike.

Për më shumë gjeni videon e këtij procesi këtu: https://www.youtube.com/watch?v=FGdCOvuchhQ 

Lexo Më Shumë
Green Hour in Prishtina, Gjakova, Ferizaj, and Kamenica

Mbahet Ora e Gjelbër në Prishtinë, Gjakovë, Ferizaj dhe Kamenicë

Më 25 prill 2025, “Ora e Gjelbër” u mbajt në Prishtinë, Gjakovë, Ferizaj dhe Kamenicë, duke sjellë në qendër të vëmendjes sfidat dhe nevojat mjedisore në këto komuna. Aktivitetet u organizuan në bashkëpunim me organizatat partnere QPA në Prishtinë, Rrjeti Qeliza në Gjakovë, Avonet në Ferizaj dhe Fortesa në Kamenicë.
 

Në diskutime u ngritën shqetësime konkrete, nga mungesa e hapësirave të gjelbra, tek mungesa e menaxhimit të mbeturinave, ndotja e ajrit dhe mungesa e reagimit institucional – sfida që prekin përditshmërinë e çdo qytetari. Në secilën komunë u ngritën pyetje për institucionet, u prezantuan ide konkrete për përmirësime, dhe u kërkua përshpejtim në realizimin e premtimeve lokale mjedisore. “Ora e Gjelbër” po krijon hapësira ku qytetarët ndihen të dëgjuar dhe të përfshirë, duke e kthyer kujdesin për mjedisin në përgjegjësi të përbashkët – duke i afruar komunitetin dhe institucionet në një proces që kërkon veprim të ndërsjellë dhe të qëndrueshëm.

 

 

Lexo Më Shumë
Podujeva Discusses Environmental Issues During “Green Hour”

Podujeva Diskuton për Mjedisin në “Orën e Gjelbër”

Më 23 prill 2025, në komunën e Podujevës u organizua “Ora e Gjelbër”, një aktivitet që synoi të nxisë ndërgjegjësimin qytetar dhe përfshirjen aktive në politikat lokale për mbrojtjen e mjedisit. Aktiviteti u realizua në bashkëpunim me organizatën partnere Ekovizioni.

Diskutimet u përqendruan në sfidat kryesore mjedisore me të cilat përballet Podujeva, përfshirë ruajtjen dhe krijimin e hapësirave të gjelbra, menaxhimin e mbeturinave dhe monitorimin e premtimeve mjedisore të dhëna nga komuna.

Pjesëmarrësit ndanë përvoja, paraqitën shqetësime konkrete dhe propozuan ide për përmirësimin e situatës mjedisore, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve dhe komunitetit lokal.

 

Lexo Më Shumë
“Green Hour”: Citizens and Municipalities together for Environmental Protection on Earth Day

“Ora e Gjelbër”: Qytetarët dhe komunat bashkë për mbrojtjen e mjedisit në Ditën Botërore të Tokës

Për të shënuar Ditën Botërore të Tokës, më 22 prill 2025, në komunat Mitrovicë, Kaçanik dhe Rahovec u organizua “Ora e Gjelbër”, në bashkëpunim me organizatat partnere SHL-Kosova, Mundësia dhe Gjethi, me qëllim ngritjen e ndërgjegjësimit dhe mobilizimit qytetar për mbrojtjen e mjedisit, si dhe forcimin e pjesëmarrjes në politikat lokale mjedisore.
 
Diskutimet u fokusuan në mbrojtjen dhe krijimin e hapësirave të gjelbra, si dhe në analizimin e premtimeve të dhëna nga komunat në fushën e mjedisit dhe nivelin e zbatimit të tyre. Qytetarë të interesuar, të rinj, përfaqësues të shoqërisë civile dhe zyrtarë komunalë morën pjesë në këto takime, duke kontribuar me ide, rekomandime dhe duke ngritur shqetësime konkrete mbi sfidat mjedisore në komunat e tyre.
 
“Ora e Gjelbër” u zhvillua si një thirrje për veprim të përbashkët në mbrojtje të natyrës dhe si një hap drejt ndërtimit të një angazhimi më të strukturuar dhe të qëndrueshëm për zhvillim të gjelbër në nivel lokal.

 

 

Lexo Më Shumë
KDI publishes the Environmental Report Card for Municipalities – only 27.27% of green promises fulfilled in 11 municipalities

KDI publikoi Fletënotimin mjedisor për komunat - në 11 komuna vetëm 27.27% e premtimeve të gjelbra janë përmbushur

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka lansuar raportin Fletënotimi Mjedisor i Komunave”, i pari i këtij lloji në Kosovë, që analizon programet zgjedhore të 11 komunave dhe klasifikon premtimet e gjelbra. Sipas këtij raporti, deri në dhjetor 2024, në 11 komuna vetëm 27.27% e premtimeve të gjelbra janë përmbushur, duke reflektuar një mungesë të theksuar të llogaridhënies dhe një qasje anemike ndaj qeverisjes së gjelbër.

Drejtori ekzekutiv i KDI/TIK, Ismet Kryeziu, në hapje të konferencës ka vlerësuar se ky raport ka analizuar programet zgjedhore të 11 komunave dhe ka klasifikuar premtimet e gjelbra – ato që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit. “Mos të harrojmë që Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha mjedisore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve. Ndotja e ajrit mbetet një nga problemet më serioze, ku vendi vazhdon të përballet me nivele alarmante të ndotjes, të shkaktuara kryesisht nga termocentralet me qymyr dhe ngrohja me dru”, ka thënë Kryeziu.

Gjatë prezantimin të gjetjeve kryesore të raportit, Ardian Muçaj nga KDI ka theksuar se përtej idesë që projektet e gjelbra do të ishin në fokus të qeverisjes lokale, përgjithësisht ato nuk arritën të etablohen si projekte të analizuara mirë, si në kuptim të realizimit teknik, kohor, efektit që do të prodhonin apo në kuptim të fizibilitetit financiar. Sipas tij, shumica e premtimeve të gjelbra më shumë ishin konceptuar si ide dhe si formulime të thjeshta deklarative.

Në panelin e diskutimit fokusuar tek temat “Rruga nga krijimi deri tek shpalosja e ofertave programore, dhe zbatimi i tyre nga komunat” dhe “Impiantet për trajtimin e ujërave të zeza”, kryetarët e komunave të të Rahovecit, Podujevës, Gjakovës dhe Kaçanikut kanë folur rreth angazhimit të tyre në implementimin e politikave të gjelbra, sfidave dhe rezultateve në punë.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se çështja e dhënies së zotimeve publike nuk është çështje e momentit, por e diskutimeve të thella të partisë, diskutimeve të njerëzve me përvojë, takimeve me qytetarë dhe se zotimet duhet të jenë në përputhje me mundësitë. “Fletënotimi mjedisor për komunat është një mundësi për të reflektuar”, ka thënë Latifi.

Kryetari i Podujevës theksoi se ka shumë projekte të gjelbra që janë realizuar nga komuna e Podujevës pro që nuk kanë qenë pjesë e programit zgjedhor. Ai ka përmendur projektet që kanë filluar dhe ato që janë përmbyllur e që lidhen me politikat e gjelbra. “Nuk jemi tërësisht të kënaqur me të gjitha këto që janë bërë, sepse besoj se ky segment ka nevoja shumë më të mëdha dhe kërkon investime më të mëdha”, ka theksuar Bulliqi.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka shprehur pakënaqësi sa i përket dinamikës së zhvillimit të gjithmbarshëm dhe me theks të veçantë në politikat ambientaliste. “Për projekte konkrete është duke shkuar shumë ngadalë. Nuk është shpejtësia e zhvillimit të Kosovës që e kemi pritur”, ka potencuar Gjini.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi ka vënë theksin te mungesa e mbështetjes financiare nga niveli qendror. “Deri më 28 dhjetor 2024, nuk ka pasur asnjë projekt të vetëm nga Qeveria. Më 28 dhjetor kemi vendosur katër lopata beton për nisjen e një qerdheje”, ka thënë Ilazi.

Monitorimi në secilën komunë është realizuar në bashkëpunim me organizatat lokale partnere: Mundësia në Mitrovicë, POLIS në Lipjan, AvoNet në Ferizaj, Qeliza në Gjakovë, Gjethi në Kaçanik, Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) në Prishtinë, OJQ SHL Kosova në Rahovec, Iniciativa Qytetare Skenderaj (IQS) në Skenderaj, Ekovizioni në Podujevë, OJQ Fortesa në Kamenicë dhe Syri i Vizionit në Pejë. 

Lexo Më Shumë

Na shkruani

Si mund të qasem në formularin e Raportimit në platformë?

Çfarë informacioni personal nevojitet për të paraqitur një raportim?

Si mund të bashkëngjes imazhe ose video?