
Në nëntor 2024 dhe maj 2025, Rrjeti Qeliza dhe KDI, së bashku me ekspertë të ndërtimtarisë dhe anëtarë të komunitetit, realizuan një vizitë në terren për të inspektuar zbatimin e projektit “Ndërtimi i kanaleve të ujitjes dhe pendave të ujit për fermerët” në fshatin Shishman të Komunës së Gjakovës. Ky projekt, i cili synon përmirësimin e sistemit të ujitjes për tokat bujqësore dhe rritjen e produktivitetit për fermerët lokalë, është pjesë e kontratës me numër 632-22-14081-5-2-1/C690. Kontrata është nënshkruar më 30 mars 2023 dhe kishte një afat prej 24 muajsh për përfundimin e të gjitha punimeve.
Gjatë inspektimit u identifikua një mangësi serioze në zbatimin e projektit: mungesa e fugave të dilatimit në murin e betonit përgjatë gjithë kanalit. Sipas specifikimeve të kontratës, këto fuga duhej të vendoseshin çdo 12 metra për të mundësuar lëvizjen e kontrolluar të strukturës, si pasojë e zgjerimit të betonit në temperaturat e larta të verës dhe tkurrjes në temperaturat e ulëta të dimrit. Për shkak të moszbatimit të kësaj kërkese teknike të përfshirë në kontratë, muri ka filluar të çahet në disa pjesë, duke rritur rrezikun për dëmtime të pariparueshme nëse nuk ndërhyhet menjëherë.
Rekomandimet për Komunën e Gjakovës:
- Riparimi i murit të çarë dhe vendosja e fugave të dilatimit sipas specifikimeve teknike.
- Rritja e mbikëqyrjes gjatë fazave të ndërtimit për të shmangur mangësi të tilla.
- Sigurimi dhe publikimi i dokumentacionit teknik dhe inspektimeve.
- Zbatimi i rreptë i standardeve ndërtimore në projektet e ardhshme.
Për më shumë gjeni videon: https://www.youtube.com/watch?v=xSRmiFR7D5M